Zgjedhjet lokale: MIA, falas lajmet deri te portalet

Udhëheqësia e Agjencisë Informative të Maqedonisë (MIA) agjencia më e vjetër informative, solli vendim që në tre muajt e ardhshëm deri në përfundimin e zgjedhjeve lokale, internet portalet të mund t’i transmetojnë falas të gjitha informacionet e MIA-s nga servisi MAQEDONI.

“Të gjitha portalet të cilët dëshirojnë të transmetojnë informacione të kontrolluara dhe të sakta për ngjarjet në vend, veçanërisht për zgjedhjet lokale, do të mund të jenë shfrytëzuesit tanë”, bëri të ditur sot në konferencën për shtyp, drejtori i MIA-s Dragan Antonovski.

Kusht për këtë, theksoi Antonovski është që në fund të lajmit të theksohet se ky është lajm i MIA-s, të shënohet se ai është burimi, lajmet të mos nxirren nga konteksti, që është në pajtim me Kodeksin e gazetarëve të Maqedonisë dhe rregullat e gazetarisë profesionale.

“Ne nga MIA konsiderojmë se obligimi ynë është që t’i informojmë qytetarët, t’ju ofrojmë informacione të kontrolluara, të shpejta dhe objektive dhe në këtë mënyrë dëshirojmë t’ju ndihmojmë edhe portaleve të cilët e dimë se financiarisht nuk janë të aftë, ndërsa dëshirojnë të kenë informacione të vërteta dhe të argumentuara, të qëndrojnë në këmbë, të afrohen deri te lexuesit e tyre, por nuk janë të rreme, por me lajme të sakta dhe të kontrolluara”, theksoi Antonovski.

Ky, potencoi ai, është kontributi ynë ndaj demokratizimit të shoqërisë dhe ngritjes të standardeve të profesionit.

Internet portalet të cilat dëshirojnë të marrin lajme falas nga MIA në tre muajt e ardhshëm duhet të paraqiten në e-mail adresën uprava@mia.mk që të kenë akses tek servisi i Agjencisë.

“MIA si agjenci informative qëndron në anën e informacionit të vërtetë, në anën e qytetarëve të informuar, kundrejt propagandës, lajmeve të rreme dhe manipulimeve”, deklaroi Antonovski.

Drejtori i MIA-s bëri të ditur gjithashtu se në paralajmërimet për ngjarjet e ditës do të saktësohet cilat ngjarje me siguri do të mbulohen edhe me informacione edhe me fotografi, për televizionet, gazetat dhe mediat e tjera parapagues dhe shfrytëzues të servisit të përgjithshëm të MIA-s që të mund t’i sistemojnë gazetarët e tyre në ngjarje të tjera dhe të vlerësojnë cilat tekste nga ngjarjet do të mund t’i shfrytëzojnë nga servisi i Agjencisë.

Për këtë aksion gazetaresk, MIA mori mbështetje nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë dhe nga Këshilli për Etikë në Media të Maqedonisë.