Zgjedhjet në vendet e BE-së, pengesë për vizat në Kosovë

Zgjedhjet që do të organizohen vitin e ardhshëm në disa vende të Bashkimit Evropian mund të ndikojnë negativisht në procesin e vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kështu vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohës të këtij procesi.

Kjo pasi, sipas tyre, nuk është e përshtatshme për qeveritë e atyre shteteve që të mbështesin liberalizimin e vizave për shtete tjera para mbajtjes së zgjedhjeve.

Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, ka thënë për gazetën “Zëri” se zgjedhjet në vendet e Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në Gjermani dhe Francë mund të kenë efekt negativ në procesin e vendimmarrjes për liberalizimin e vizave.

Megjithatë, ai ka thënë se mundësia për liberalizimin e vizave sivjet është ende reale nëse arrihet një konsensus politik për sfidën e mbetur të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Por, nëse e kalojmë muajin tetor pa ndonjë zhvillim pozitiv, atëherë kam frikë se edhe ky vit do të jetë vit humbur për Kosovën për sa i përket liberalizimit të vizave. Viti i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë për një vendim, sepse do të kemi zgjedhje të përgjithshme në disa shtete të BE-së dhe kjo mund të ketë efektin e vet në procesin e vendimmarrjes”, ka deklaruar Ilazi.