Zgjedhjet parlamentare do t’i monitorojnë 100 vëzhgues evropian

Shefi i Misionit te Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Kosovë nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle në një konferencë për medie sot në Prishtinë prezantoi Misionin për Vëzhgim të Zgjedhjeve nga BE.

Misioni udhëhiqet nga shefi i misionit Alojz Peterle, anëtër i Parlamentit Evropian nga Sllovenia dhe do të përbëhet nga rreth 100 vëzhgues nga shtetet të ndryshme anëtare të BE-së, bashkë me Norvegjinë dhe Zvicrën. Një ekip bazë i përbërë nga tetë analistë është i vendosur në Prishtinë nga data 19 maj, ekip i cili mbulon çështjet zgjedhore, ligjore dhe mediale.

Peterle tha se kjo reflekton përkushtimin e vazhdueshëm të BE-së ndaj procesit demokratik në Kosovë dhe dëshirën për të parë përmirësim të vazhdueshëm në përmbushjen e të drejtave demokratike e të gjithë atyre të cilët do të votojnë në Kosovë. Sipas tij, qëllimi i tyre nuk është të bëhen policë në këtë proces, por të jenë vetëm si vëzhgues të pa anshëm.

Peterle: Më kanë treguar se këto zgjedhje janë mjaft sfiduese

 

 “Ne kemi pranuar ftesën për monitorimin e këtyre zgjedhjeve nga Presidenti Thaçi, menjëherë pas thirrjes për zgjedhje, duke reflektuar partneritetin e afërt mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kjo është hera e tretë që BE-ja dërgon misionin e saj vëzhgues në Kosovë. Kjo reflekton përkushtimin e vazhdueshëm të BE-së ndaj procesit demokratik në Kosovë dhe dëshirën për të parë përmirësim të vazhdueshëm në përmbushjen e të drejtave demokratike e të gjithë atyre të cilët do të votojnë në Kosovë. Më kanë treguar se këto zgjedhje janë mjaft sfiduese. Por, unë gjithashtu i shoh këto zgjedhje si një mundësi të shkëlqyer për të demonstruar një pjekuri operative”, theksoi Peterle.

Mesazhi i tij është i njëjtë me atë të përfaqësuesve tjerë evropianë në Kosovë, përfshirë përfaqësuesen e lartë, Nataliya Apostolova, e cila ka bërë thirrje të gjithë individëve përgjegjës, kandidatëve dhe drejtuesve të ardhshëm të subjekteve politike që të përmbahen nga gjuha denigruese dhe të refuzojnë të gjitha format e presionit që mund të dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor.

 Peterle: U  bëj thirrje për një fushatë të qetë

 

“Mbajtja e këtyre zgjedhjeve do të ndikojë në maturinë e institucioneve, besueshmërinë e akterëve politikë dhe besimin e votuesve.  Unë bëjë thirrje tek të gjitha palët ta luajnë pjesën e tyre në sigurimin e mbajtjes së një fushate të qetë dhe ta shfrytëzojnë mundësinë për të siguruar zgjedhje të besueshme për gjithë popullin e Kosovës”, deklaroi Peterle.

Një grup prej 16 vëzhguesish afatgjatë do të dërgohen nëpër Kosovë më 27 maj për të mbuluar komuna të ndryshme. Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, atyre do t’u bashkohen edhe 32 vëzhgues afatshkurtër. Ndërsa, në ditën e zgjedhjeve misionit do t’i bashkohen edhe delegacioni nga Parlamenti Evropian dhe vëzhguesit afatshkurtër të rekrutuar individualisht nga përfaqësuesit diplomatikë të shteteve anëtare të BE-së.

Misioni do të publikojë të gjeturat në deklaratë preliminare brenda 48 orësh pas ditës së zgjedhjeve, dhe një raport final, i cili përfshinë rekomandimet për zgjedhjet në të ardhmen, do të publikohet përafërsisht dy deri tre muaj më vonë./I. Shabani/