Dilemat për Universitetin “Nënë Tereza” janë të shumta. Lokacioni akoma ngelet i papërcaktuar. Deklarata e djeshme e ministrit të Arsimit Pishtar Lutfiu kur tha se në mungesë të lokacionit do të kenë bashkëpunim me universitetet e tjera për t’i strehuar studentët përkohësisht, ka ngjallur konfuzione të shumta në mesin e personaliteteve të jetës akademike. Ajtene Qamili, zvarritjen e lokacionit të “Nënë Terezës” e konsideron si një veprim joserioz nga ana e ministrisë.

“Sa për punën e lokacionit mendoj që kjo është pak qesharake dhe joserioze për një projekt i cili është më shumë kohë i ideuar i menduar, i konfirmuar dhe pikërisht i formuar nga vetë institucionet pushtetare… dhe tani kjo shpërndarje e studentëve nëpër fakultete të ndryshme është një punë joserioze dhe që nuk garanton së pari sigurinë edhe te vetë studentët të cilët do të ishte dashur që të regjistrohen në këtë fakultet… Imagjinoni se si do të mund të koordinohen punët rreth vetë katedrave apo grupeve, nuk e di se si e kanë planifikuar shpërndarjen e studentëve nëpër fakultete të ndryshme kur është vështirë vetë në një institucion të vetëm të bëhet koordinimi ashtu sic duhet të jetë, imagjinoni në një formë të kësaj natyre”, tha profesoresha universitare Ajtene Hajdari – Qamili.

Ministri i Luftiu një ditë më parë theksoi se universitetet e tjera publike dhe publiko-private do t’ia zgjasin dorën e ndihmës UNT-së deri sa të mëkëmbet.

“Kemi pasur takime të njëpasnjëshme me rektorin e UEJL-së zotin Zamir Dika, me atë të Tetovës zotin Vullnet Ameti dhe me rektorin e sapozgjedhur të Universitetit Shën Kirilit dhe Metodi. Ata kanë shprehur gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje primare universitetit”, deklaroi ministri i arsimit, Pishtar Lutfiu.

Lidhur me këto bashkëpunime, Alsat kërkoi konfirimim nga të tre rektoratet e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi, nga Universiteti i Tetovës dhe nga ai i Evropës Juglindore, por përgjigje morëm vetëm nga ky i fundit.

“Universiteti i Evropës Jug-lindore ka qenë i hapur gjithnjë për bashkëpunim dhe këtë gjë e ka bërë me të gjitha universitetet nëpërmjet formave të ndryshme të bashkëpunimit me qëllim të forcimit të kapaciteteve të dijes. Edhe në këtë rast UEJL, duke pasur parasysh në rend të parë komplementaritetin e këtij universiteti, do të jetë i hapur për bashkëpunim me Universitetin “Nënë Tereza “ edhe sa i përket lokacineve”, thanë nga UEJL.

Eksperëtë e arsimit, thonë se kjo zhvatje e UNT-së ndikon drejtpërdrejt në druajtjen e studentëve për t’u regjistruar në këtë universitet. Ndërkaq ministri i Arsimit konsideron se këto pengesa nuk do të ndikojnë aspak në besueshmërinë e universitetit të ri.

Agron Vrangalla