Zvicër, shqiptari arriti të përfitonte me mashtrim 650 000 euro

Një shqiptar nga Kosova ka arritur që brenda 4 viteve të përfitojë mbi 700 000 franga (rreth 650 mijë euro) nëpërmjet mashtrimit.

Mashtrimet e tij bëheshin nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve. Kështu, në 5 aksidente rrugore ai ka arritur që të përfitojë nëpërmjet kompanive të sigurimit rreth 45 000 franga.

Këto nuk janë rastet e vetme. Nëpërmjet një kompanie celularësh në Hünenberger, ku edhe lidhi disa kontrata me të, arriti të merrte një sasi të konsiderueshëm telefonash celularë duke i shitur më pas me vlera të ndryshme. Në total, përfitimet për këto raste ishin 68.000 franga.

49 vjeçari nga Kosova bënte edhe pazar online, sigurisht pa paguar paraprakisht. Në të shumtën e rasteve, sendet e blera online ai i ka rishitur duke përfituar paratë pa paguar ndërkohë. Në këtë biznes kishte përfshirë edhe gomat e automjeteve.

Shqiptari qarkullonte me një automjet Audi RS6 Quattro, një nga automjetet më luksoze. Edhe kur e mbushte me benzinë, arrinte të mashtronte kompanitë duke përdorur karta të ndryshme.

Ai arrinte të gjente karta të kompanive të ndryshme dhe me anë të tyre mbushte makinën falas. Paratë i paguanin kompanitë, përveç se e merrte me zbritje çmimi. Në këtë drejtim, shqiptari nga Kosova ka arritur të përfitojë 27 500 franga.

Nëpërmjet kontratave të ndryshme dhe blerjeve online, 49 vjeçari ka arritur të blejë pa para sigurisht, 10 televizorë, kompjutera, goma, pajisje makinash, pajisje garazhi, etj.

Të gjitha krimet, ai ka arritur t’i kryej nga viti 2009 deri në vitin 2013 që kapin një vlerë totale prej 700 mijë frangash zvicerane.

Megjithëse kaloi 569 ditë në paraburgim, në asnjë rast nuk shfaqi pendesë. Ai tashmë u dënua nga Gjykata penale në Luzern me 4 vite e 6 muaj burgim.