Zvicra ka një lajm të keq për pensionistat shqiptar

Televizioni publik zviceran SRF në emisionin e tij shumë të shikuar “Rundschau” problematizon çështjen e mohimit të të drejtës për të marrë pensionet e tyre edhe në vendlindje atyre kosovarëve që kanë jetuar dhe punuar në Zvicër.
Të shtrënguar nga kjo, mijëra kosovarë detyrohen të qëndrojnë në Zvicër, sepse ndryshe mbeten pa pensione, transmeton albinfo.ch. Partia Socialdemokrate (SP/PS) po përpiqet ta ndryshojë këtë gjendje thuhet në emisionin, në të cilin janë marrë edhe shembuj konkretë të kosovarëve që po pësojnë nga e gjithë kjo.

Ramë Gjonaj ka punuar për 30 vite si vinçier (kranist) nëpër kantiere të ndryshme nëpër Zvicër dhe ai dëshiron që si pensionist të kthehet në Kosovë, te familja e tij. Edhe pse ai i ka paguar kontributet sociale në Zvicër, ai nuk ka mundësi që ato t`i gëzojë nëse jeton në Kosovë.

“Në ditët e pleqërisë sime unë më me dëshirë do të qëndroja në vendin tim. Gjithë jetën kam punuar për shtëpinë time në Kosovë. Por tash nuk mund ta marr pensionin atje me vete”. Për këtë arsye atij dhe gruas nuk i mbetet asgjë tjetër përveç se të mbetet për të jetuar në Zvicër. Vetëm këtu ai e merr rregullisht pensionin.