Zyratarizimi i shqipes, përmes ndryshimit të Kushtetutës

Për zyrtarizmin e gjuhës shqipe dhe alfabetit të saj latin në nivel të njëjtë me gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, ekspertët e kushtetueses vlerësojnë nevojiten ndryshime kushtetuese. Profesorët Mersim Maksuti dhe Zemri Elezi vlerësojnë se disa pika të platformës politike siç është përdorimi zyrtar i shqipes janë të vështira për t’u arritur.

 Për t’u zyrtarizuar gjuha shqipe në tretman dhe status të barabartë me gjuhën maqedonase, patjetër duhet të ndryshohet Kushtetuta, edhe një herë të pësojë ndryshim Neni 7 i cili do t’i jepte një formulim krejtësisht të ri ku do të barazonte në mënyrë të plotë, pra në status të barabartë njësoj si gjuhën maqedonase, pa asnjë kufizim më poshtë siç është tani. Kërkohet konsensus dhe një kompromis më i gjerë politik që në rastin konkret është shumë vështirë të arrihet – deklaroi Mersim Maksuti.

Unë jam pesimist sepse me cilindo bllok që partitë shqiptare të bëjnë një Qeveri politike, nuk do të mund ta arrijnë shumicën e duhur për zyrtarizimin e gjuhës shqipe sepse me Kushtetutë në mënyrë taksative kërkohet shumicë kualitative respektivisht 2/3 e deputetëve në Parlament që për rastin konkret duhet të jenë 80 deputetë. Unë mendoj se për këtë fazë, në këtë Qeveri do të mundet të rritet përdorimi i gjuhës shqipe në nivel të pushtetit qendror në të gjitha institucionet dhe në nivel regjional në të gjitha institucionet kurse çështja e ndryshimit kushtetues mendoj se për këtë periudhë dhe në këtë kohë nuk mund të arrihet – tha Zemri Elezi.

Në platformën e përbashkët të partive shqiptare, ata janë zotuar për arritjen e barazisë së plotë gjuhësore dhe garantimin e përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj, janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë. Përveç çështjes së gjuhës, në deklaratën e tyre partitë kanë paraparë edhe debat gjithëpërfshirës për pika të tjera për të cilat nevojiten ndryshime kushtetuese si ndryshim të simboleve shtetërore, të cilat kërkohet të reflektojnë multi-etnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike.

Fatlume Dervishi