Zyrtare: Fatmir Dehari kandidat i shqiptarëve për komunën e Kërçovës

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI, Ali Ahmeti përfundimisht vendosi që kandidat për Kryetar Komune në zgjedhjet e 15 tetorit në Kërçovë të jetë kryetari aktual, Fatmir Dehari, njofton Flaka nga burime partiake.

Qëndrimi është sjellur sot dhe gjatë thuajse gjithë ditës, lideri Ahmeti ka qëndruar në Kërçovë ku ka realizuar takime me strukturën partiake.

Dehari rikandidohet për një mandat të dytë në krye të Kërçovës pas një beteje shqiptare – maqedonase në vitin 2013.

Mr.Sc. Fatmir Dehari konsiderohet kërcovari tipik, i popullit të Kërçovës, pjesë e pandashme e jetës së kombit të tij, njeriu që përfaqëson dhe mishëron, dhembjen, sakrificën dhe guximin e një kërçovari gjatë shekujve. Mishërim i spontanitetit, humanizmit, mirësisë, intelektualitetit, komunikimit në kohë paqeje dhe i guximit, sakrificës dhe heroizmit në kohë të vështira të popullit të tij. Dashamirës dhe pjesë e të gjithëve në jetën e përditshme dhe menaxhimin institucional. Bashkëndjen gëzimin dhe vuajtjen e secilit, pa paragjykime ndaj askujt pavarësisht profilit social apo intelektual të dikujt që miqësisht takohet me të. Me përkushtimin e një olimpiku: “më mirë, më shpejt, më lart”. Krenari e të gjithëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e popullit te tij!

I lindur më 17.09.1974, në fshatin Serbicë, Kërçovë. Shkollën fillore e kreu në fshatin Serbicë, Komuna e Osllomesë, kurse të mesmen në Elbasan, Republika e Shqipërisë.

Studimet i ka kryer në Universitetin e Prishtinës në vitin 1998.

Pas studimeve, punon në Gjimnazin “Xhevdet Doda”, në Prishtinë si mësimdhënës. Deri në vitin 2001 punon si asistent në Universitetin e Prishtinës dhe Tetovës.

Në vitin 2001 e gjejmë në zemrën e aktiviteteve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Oficer i lartë lufte pranë shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.

Në periudhën 2002 – 2006 emërohet zëvendës ministër i Punëve të Brendshme. Në vitin 2008, emërohet drejtor i njësisë rajonale Kërçovë, në Postat e Maqedonisë. Në zgjedhjet lokale të vitit 2009 zgjidhet kryetar i Komunës së Osllomesë.

Në vitin 2011 magjistron në Universitetin e Tiranës në fakultetin e shkencave sociale në departamentin e punës dhe politikës sociale. Mban titullin magjistër i Punës Sociale. Ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Ka njohuri të gjuhës frënge, angleze, serbo-kroate dhe maqedone. I martuar dhe baba i tre fëmijëve.

Aktualisht, zyrtare nga radhët e BDI-së është rikandidimi për një mandat të tretë të kryetarit të Gostivarit, Nevzat Bejta dhe zëvendësministrit Arsimit, Visar Ganiu për Komunën e Çairit.