Zyrtare, Marko Cetkoviç bëhet pjesë e Partizanit

Partizani nuk pushon së afruari lojtarë cilësorë dhe e gjitha kjo në funksion të objektivave të tij për fitimin e titullit kampion. Pas afrimit të Sukajt e Bonifejs, por edhe talentit Kristi Marku, dje të kuqtë kanë zyrtarizuar ardhjen e radhës, Marko Cetkoviç, i cili është një lojtar që e njeh kampionatin shqiptar sepse ka luajtur më parë me Laçin. E vërteta është se futbollisti në fjalë ishte një prej objektivave të klub it në këtë merkato dimri. Pati shumë konkurrencë, pasi ishin disa ekipe që kërkonin shërbimet e tij, por në fund Partizani ka bindur dhe tani skuadra e kuqe është gati të tregojë vlerat e saj më të mira në pjesën e mbetur të sezonit

Kontrata

Tashmë është zyrtare, Marko Cetkoviç do të jetë pjesë e Partizanin të paktën për pjesën e mbetur të sezonit. Nëpërmjet një komunikate për shtyp klubi i kuq njofton se ka mbyllur me sukses tratativën me fantazistin malazez, me palët që kanë hedhur të zezën mbi të bardhë. Lojtari i cili ka spikatur në Kategorinë Superiore me fanellën e Laçit, rikthehet në Shqipëri pas një eksperiencë 6-mujore me Sarajevën në kampionatin e Bosnjë-Hercegovinës. Gjatë fazës së parë të sezonit Cetkoviç u aktivizua në 10 ndeshje me skuadrën boshnjake, duke shënuar një gol në barazim 1-1 në fushën e Celik. Te Partizani 30-vjeçari, i cili do të mbaje veshur fanellën me numër 21, shihet si një element shumë i rëndësishëm për titullin kampion. Të kuqve i ka munguar një lojtar me cilësitë dhe profilin e Cetkoviç, i aftë për të asistuar sulmuesit por edhe për të goditur portën. Malazezi në fakt është afrimi i katërt i merkatos së janarit pas Methju Bonifejs, Kristi Markut dhe Xhevahir Sukajt, që në fakt kanë nisur prej disa ditësh përgatitjet me skuadrën në fazën përgatitore që po zhvillohet në Turqi. Në Antalia Starova do të ketë në dispozicion një tjetër lojtar cilësor, të cilit do t’i duhet pak kohë të ingranohet me mekanizmat e ekipit.

Blerjet

Nga emrat e afruar në këtë merkato dimri, Cetkoviç është një emër i spikatur, sepse e njeh kampionatin shqiptar dhe ka qenë një nga më të mirët tek Laçi. Nga aa tjetër, të kuqtë kishin zyrtarizuar më parë dy lojtarë të nivelit të lartë, njëri i ardhur nga Trepça e Kosovës, Bonifejs, ndërsa tjetri është sulmuesi i njohur Xhevahir Sukaj, i cili po bën përpjekje të lerë pas dëmtimin dhe të angazhohet fuqishëm me skuadrën e tij. Është afruar edhe talenti Kristi Marku, por Sukaj është padyshim blerja më e rëndësishme për të kuqtë. Kjo nisur dhe nga nevoja që kishte skuadra në repartin ofensiv. Sukaj mund të bëjë diferencën në sulm dhe në pjesën e mbetur të sezonit mund të jetë “asi” i Sulejman Starovës në garën për titull. Por efektiviteti i Sukajt do të varet nga gjendja e tij fizike, pasi ai ende është në kohë rikuperimi si pasojë e një dëmtimi të pësuar në Malajzi.

Gara për titull

Në lidhje me garën për titull mund të thuhet se tre janë kundërshtarët m,ë të besuar: Kukësi, i cili doli kampion dimri dhe ndodhet në kuotën e 36 pikëve, Partizani me një pikë më pak, pra 35 pikë, dhe Skënderbeu me 32 pikë pas tyre në vend të tretë. Natyrisht, me grupin që ka Partizani ka më shumë shanse të fitojë titullin. Kjo mund të bëhet më e besueshme edhe nga qëndrueshmëria që ka shfaqur skuadra e kuqe në fushën e lojës dhe sidomos përballë kundërshtarëve direktë. “Demat” kanë fituar më shumë ndeshje në transfertë dhe ky është një tregues mjaft interesant për forcën e skuadrave. Një tregues i tillë është domethënës sidomos për terrenin e vështirë ku operon Kategoria Superiore dhe sigurisht formati i kampionatit. Skënderbeu ka skuadër me eksperiencë, por këtë sezon ka treguar se nuk është bindës në shumë aspekte dhe humbjet e tij në duelet direkte me Tiranën fillimisht, më pas me Kukësin e Partizanin, tregojnë se skuadra korçare nuk e ka më forcën e dikurshme dhe Partizani e Kukësi kanë më shumë shpresë për titullin kampion. /sot.al