Zyrtare: Nevzat Bejta sërish kandidat për kryetar të komunës së Gostivarit (FOTO)

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI)  në Gostivar tanimë ka filluar përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Kryesia e degës së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI)  në Gostivar, unanimisht dhe me aklamacion nominoi për kandidat të mundshëm për kryetar Komune në zgjedhjet e ardhshme lokale kryetarin aktual të Komunës së Gostivarit dhe njëherit kryetar i degës dhe nënkryetar i  Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) , z. Nevzat Bejta.

Pas një debati konstruktiv dhe në përbërje të plotë të kryesisë së degës së Gostivarit, deputeti Talat Xhaferi propozoi që kandidat për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme lokale të jetë kryetari aktual, Nevzat Bejta.

Kandidatura e tij u mbështet nga gjithë anëtarët e kryesisë së degës dhe në mbledhjen e zgjeruar në përbërje të kryesisë, kryetarëve të Këshillave Vendore dhe strukturave të tjera partiake të degës së Gostivarit, kandidatura e kryetarit Nevzat Bejta u mbështet me aklamacion dhe pa asnjë vërejtje.

Si në mbledhjen e kryesisë së degës, ashtu edhe në mbledhjen e zgjeruar të strukturave të Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar, u potencua që përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale të intesifikohen që tani, ndërkohë që kryetari Nevzat Bejta propozoi që të gjitha kryesisë e Këshillave Vendore të nisin me përpilimin e propozimeve për kandidatët nga radhët e BDI-së për në përbërjen e re të Këshillit Komunal të Komunës së Gostivarit.

Deri në fund të muajt shkurt, tha kryetari Bejta, të jepen propozimet konkrete të  kandidatëve për Këshillin e Komunës së Gostivarit, me qëllim që lista e propozuar me emrat për kandidat të mundshëm për këshilltarë komunal të jetë gati disa muaj para zgjedhjeve dhe lista finale me 31 kandidatët të jetë në përputhje të plotë me vullnetin e strukturave partiake dhe e pranueshme për shumicën e popullatës.

“U kemi propozuar edhe Forumit të Gruas dhe Forumit Rinor të japin propozimet e tyre. Dëshirojmë të kemi përfshirje të gjitha strukturave. Duhet që kandidatët e propozuar të kenë mbështetjen e strukturave partiake dhe popullatës nga vendbanimet që vijnë. Duhet të respektojmë vullnetin e shumicës”, tha mes tjerash kryetari Bejta, i cili me këtë rast falënderoi strukturat partiake për besimin e dhënë për të qenë kandidat për kryetar komune në një mandat të ri.

Kryetari Nevzat Bejta tha që punët e realizuara janë pasqyra më e mirë për qeverisjen me Pushtetin Lokal në Gostivar, duke paralajmëruar program gjithëpërfshirës parazgjedhor për zgjedhjet e ardhshme lokale. Bejta tha që realizimi i programit zgjedhor nga zgjedhjet e kaluara, është një siguri më tepër për popullatën që edhe programi i ri zgjedhor 2017 – 2021 do të realizohet plotësisht në mandatin e ri qeverisës.

Pas nominimit nga strukturat e degës së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI)  në Gostivar, fjalën e fundit do ta thotë lideri i partisë, Ali Ahmeti dhe kryesia qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim.